Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me grupin e punës për hartimin e Kodit të ri Penal, zhvilloi sot tryezën e dytë të prezantimit teknik të draftit të Kodit të ri Penal, përpara fillimit të konsultimeve të gjera publike që do të zhvillohen për këtë draft.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja njoftoi sot se Kodi aktual Penal do të ketë ndryshime në kuadër të negociatave për integrimin në Bashkimin Evropian. Ministri nënvizoi se Shqipërisë i kërkohet që brenda muajit tetor të reflektojë në Kodin Penal ekzistues rreth gjashtë direktiva që kanë të bëjnë me disa vepra penale.
“Në kuadër të grupit të negociatave për “Themeloret”, Shqipërisë i kërkohet që brenda muajit tetor të reflektojë në Kodin Penal ekzistues rreth gjashtë direktiva, që kanë të bëjnë me: veprat penale të pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, rishikimin e kuadrit ligjor me veprat e terrorizmit; rishikimin e kuadrit ligjor lidhur me trafikun e dogërave; rishikimin e kuadrit ligjor lidhur me viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbrojtjes së tyre; rishikimin e kuadrit ligjor me lidhur me armët; rishikimin e kuadrit ligjor lidhur me abuzimin seksual dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve dhe pornografisë së fëmijëve; rishikimin e kuadrit ligjor lidhur me shpifjen”, tha Manja.
Manja bëri të ditur se procesi i konsultimit për këto ndryshime do të zhvillohet i ndarë nga procesi i konsultimeve për draftin e Kodit të ri Penal.
“Ky proces do të jetë i ndarë me procesin e konsultimit publik që do të zhvillohet në lidhje me draftin e ri të Kodit Penal. Për këtë grup veprash, konsultimi publik do të zhvillohet ndarazi me konsultimin publik që kanë të bëjnë me draftin penal. Këto ndryshime do të reflektohen në Kodin penal aktual dhe do të jenë pjesë e draftit të Kodit të ri kur të jetë në agjendën parlamentare.
“Ky proces meqë është detyrë dhe lidhet me përmbushjen e detyrimeve tona sa i takon negociatave për grupin “Themeloret”, do të jetë një proces më vete”, u shpreh Manja.
