Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj vendimit të presidentes Justina Shiroka-Pula për largimin, siç pretendon kjo parti, të fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e nderit në Presidencë.
Në një reagim zyrtar në rrjetet sociale, LDK-ja e ka cilësuar këtë veprim të papranueshëm, duke theksuar se Presidenca është institucion shtetëror ku duhet të nderohen themeluesit e shtetit të Kosovës dhe aktet historike mbi të cilat është ndërtuar Republika.
“Fotografia e Atit Themelues të Republikës së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike e shtetërore. Trajtimi i tyre si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe i papranueshëm”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Më tej, kjo parti thekson se Ibrahim Rugova përfaqëson udhëheqjen historike të përpjekjes së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, ndërsa Deklarata e Pavarësisë shpreh vullnetin e popullit të Kosovës për një shtet të pavarur dhe sovran.
Sipas LDK-së, largimi i këtyre dy simboleve cenon respektin institucional ndaj historisë dhe identitetit shtetëror të vendit.
“Presidenca ka përgjegjësi të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë e tij. Kjo përgjegjësi tejkalon mandatin e secilit president dhe duhet të pasqyrohet edhe në mënyrën se si paraqitet shteti në hapësirat e tij zyrtare, para qytetarëve dhe përfaqësuesve të huaj”, thuhet në komunikatë.
Në përfundim, LDK-ja i ka kërkuar presidentes Shiroka-Pula të rishikojë vendimin dhe të rikthejë fotografinë e Ibrahim Rugovës dhe Deklaratën e Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë.
