Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Prokurorisë së Posaçme për t’i refuzuar një kopje fizike të materialeve hetimore që lidhen me çështjen ndaj tij.

Sipas tyre, këtë muaj Veliaj i ka kërkuar zyrtarisht SPAK-ut dokumentet në format fizik, për të përgatitur një mbrojtje efektive, siç i garanton neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës.

Kërkesa, megjithatë, është refuzuar me argumentin se materialet i janë dorëzuar avokatëve në një USB. Por, në kushtet e izolimit ku ndodhet, Veliaj nuk ka akses në pajisje elektronike dhe, për shkak të volumit të lartë të akteve, avokatët nuk mund t’ia dërgojnë të gjitha fizikisht.

Sipas mbrojtjes, SPAK vijon të refuzojë edhe kërkesën ligjore të Veliajt për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin një çështje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të drejtë që garantohet nga Konventa Evropiane. Ata e akuzojnë prokurorinë për qasje të tipit “në fillim arresto, pastaj heto”, duke e cilësuar shqetësuese për numrin e lartë të të paraburgosurve në vend.

Avokatët shtojnë se Veliaj nuk ka mundësi të mbrohet në mënyrë të plotë dhe se situata po e pengon të ushtrojë funksionin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, post për të cilin është zgjedhur tre herë radhazi nga qytetarët.