Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rritur ndjeshëm presionin mbi Kievin zyrtar për të pranuar disa nga kushtet e Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sot pas mesditës në SHBA, pritet një ditë intensive takimesh në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump do të presë homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe më pas liderët kryesorë evropianë, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme paqeje.
Trump kërkon që Ukraina të pranojë disa nga kërkesat thelbësore të Rusisë, përfshirë njohjen e Krimesë si territor rus dhe një premtim për të mos hyrë kurrë në NATO.
Zelensky, i cili më herët ka qëndruar kategorik në qëndrimin e tij për mosbërje kompromisesh për territorin ukrainas, tha se çdo marrëveshje duhet të përfshijë garanci të forta sigurie për të parandaluar një tjetër agresion rus.
Pas takimit dypalësh me Zelenskyn, Trump do të takojë edhe liderët kryesorë të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Në një takim shumëpalësh do të diskutohet për krijimin e një force të përbashkët sigurie që do të vendosej në Ukrainë sapo të arrihej një marrëveshje armëpushimi.
Liderët evropianë janë të gatshëm të dërgojnë trupa për ruajtjen e paqes në Ukrainë, duke ofruar një zgjidhje alternative për kërkesën ruse që Ukraina të mos bëhet pjesë e NATO-s.
Takimet e sotme shënojnë një pikë kthese në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund një lufte që ka shkaktuar mijëra viktima dhe zhvendosur miliona njerëz. Megjithatë, negociatat mbeten të brishta dhe rruga drejt paqes ende e gjatë.
Një ditë vendimtare në Uashington, që mund të përcaktojë të ardhmen e Evropës Lindore.