E gjithë Spanja po mbyll një javë në flakë.
Zjarrfikësit janë në betejë me 14 vatra të mëdha ndërsa kryeministri i vendit Pedro Sanchez ka paralajmëruar banorët për një rrezik ekstrem në veri dhe perëndim të vendit.
Shtatë persona kanë humbur jetën deri tani ndërsa më shumë se 1,500 km2 janë shkrumbuar nga flakët vetëm ditët e fundit. Temperaturat pritet të arrijnë sërish nga 40 në 44 gradë Celsius në bregdet që së bashku me erërat e fuqishme do të ndihmojnë në përhapjen e zjarreve.
Në Galicia situata nga zjarret detyroi autoritetet të mbyllë autostradat dhe shërbimet hekurudhore në rajon. Garda Civile e Spanjës tha se kishte arrestuar dy persona me dyshimin për vënien e qëllimshme të zjarreve duke e çuar në dhjetë numrin e të ndaluarve që nga fillimi i qershorit. Zjarret kanë djegur më shumë se 157 mijë hektarë në Spanjë deri tani këtë vit.
Spanja është vendi i pestë evropian që ka kërkuar ndihmë për të luftuar zjarret. Valë e të nxehtit që përfshiu pjesë të mëdha të Evropës Juglindore këtë javë, shkaktoi zjarre edhe në Portugali, Greqi, Francë dhe vendet e Ballkanit.