Operacionet për përballimin e zjarreve që kanë përfshirë disa zona të Shqipërisë kanë vijuar me intensitet të lartë edhe gjatë natës, duke u përqendruar kryesisht në afërsi të zonave të banuara dhe parqeve kombëtare.
Mëngjesin e kësaj të mërkure, më 13 gusht, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka deklaruar në një postim në rrjetet sociale se aktualisht po punojnë në terren tre helikopterë në Gramsh dhe dy në Delvinë, dy prej zonave ku situata paraqitet më pritike për momentin.
Ai ka falenderuar të gjithë operativët të cilët po punojnë duke rrezikuar jetët e tyre në zonat më kritike.
“Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pandalim gjatë gjithë orëve të natës për të kufizuar perimetrin e flakëve në afërsi të zonave të banuara dhe parqet kombëtare në mbarë Shqipërinë.
Tre helikopterë po operojnë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë, ndërsa qindra efektivë të emergjencave lokale dhe të Forcave të Armatosura po punojnë pa u ndalur në zonat më të nxehta: Fushë Arrëz, Gramsh, Tepelenë, Dropull, Delvinë dhe Finiq. Vendosmëri, profesionalizëm dhe përkushtim për të mbrojtur jetën, pronën dhe mjedisin. Mirënjohje për çdo forcë të angazhuar në këtë sfidë.”, shkruna ministri, i cili mbrëmjen e kaluar në orët e vona deri gati në të gdhirë ka zhvilluar një mbledhje në Delvinë me strukturat e Emergjencave dhe Ushtrisë si dhe strukturat drejtuese vendore.
“Në Delvinë, së bashku me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA – Gjenerallejtënant Arben Kingji dhe drejtuesit vendorë, për të koordinuar planin e masave për izolimin e plotë të flakëve dhe rikthimin e normalitetit në qytet.”, shkroi gjatë natës Vengu, duke ndarë disa foto nga kjo mbledhje.
Zjarri rrezikoi gjithashtu puset dhe disa depozita nafte që ndodhen në kodrat pranë Delvinës. Dhjetëra banorë në lagjet periferike u larguan për të shmangur rrezikun për jetën.