Dorin recean

Rusia po përpiqet të vendosë 10 mijë trupa në rajonin separatist të Transnistrisë, që ndodhet në kufi me Ukrainën. Për ta realizuar këtë synon të instalojë një qeveri pro-Kremlinit në Moldavi, ka deklaruar kryeministri i vendit, Dorin Recean.

Aktualisht, Moska mban një numër të vogël ushtarësh në Transnistri, një territor që ndodhet nën kontrollin e separatistëve prej 33 vitesh, në një konflikt që mbetet i ngrirë. Por meqenëse rajoni është i izoluar dhe i vendosur mes Ukrainës dhe një qeverie pro Bashkimit Europian në Moldavi, Rusia nuk ka mundësi të dërgojë më shumë forca atje.

Në një intervistë për Financial Times, Recean tha se Rusia po ndërhyn në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në shtator në Moldavi, me qëllim që të sjellë në pushtet një qeveri më miqësore ndaj saj në mënyrë që të lejojë shtimin e prezencës ushtarake në rajon.

“Kjo është një përpjekje masive për të minuar demokracinë moldave,” u shpreh kryeministri, duke theksuar se qeveria e tij është e përqendruar plotësisht në përpjekjet për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Sipas tij, ndërhyrja e Rusisë përfshin propagandë në rrjetet sociale dhe transfertat e paligjshme të parave për parti politike dhe votues. Vetëm gjatë vitit 2024, Rusia ka shpenzuar vlerën e 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Moldavisë për fushata ndikimi.

Në referendumin për anëtarësimin në BE, të mbajtur tetorin e kaluar, fitorja u arrit me një diferencë minimale prej vetëm 0.7%, pas një fushate të gjerë të ndikimit rus, sipas autoriteteve moldave.

“Mund të imagjinoni se çfarë presioni do të ushtronte një forcë prej 10 mijë trupash në pjesën jugperëndimore të Ukrainës”, tha Recean.

“Por kjo do të ishte gjithashtu shumë afër Rumanisë, një shtet anëtar i NATO-s”, shtoi ai.

Pas vitit 1992, Rusia ka vendosur një numër të madh trupash në Transnistri për të mbështetur rajonin në përplasjen me Moldavinë. Sot, forcat ruse në këtë territor janë reduktuar ndjeshëm, rreth 1,500 trupa që mbajnë flamurin rus, por pjesa më e madhe janë vendas që u bashkohen, me vetëm pak të ardhur drejtpërdrejt nga Rusia.

“Momentalisht, forcat e tyre atje janë thuajse simbolike. Por nëse instalohet një qeveri e afërt me Rusinë, mund të lehtësohet konsolidimi ushtarak”, tha Recean, duke shtuar se shifra prej 10 mijë trupash bazohet në vlerësime të inteligjencës.

Një pjesë e trupave ruse ruajnë një depo të madhe armatimesh që daton nga koha sovjetike. Qeveria moldave ka kërkuar në mënyrë të përsëritur largimin e tyre, duke e cilësuar prezencën e trupave si shkelje të sovranitetit të vendit.

“Jemi shumë të kujdesshëm, sepse propaganda dhe mjetet e komunikimit të tyre janë shumë të fuqishme. Po shpenzojnë shumë para”, theksoi Recean.

Ai gjithashtu tha se autoritetet kufitare kanë ndaluar shtetas moldavë që ktheheshin nga Rusia me shuma deri në 1.2 milionë dollarë cash me vete, ndërkohë që 130 mijë votues në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar rezultuan të kenë marrë fonde nga burime ruse.

“Si rrjedhojë, duhet të rrisim edhe ne mbrojtjen tonë. Por në të njëjtën kohë duhet të ecim përpara me axhendën tonë”, tha kryeministri moldav, duke përsëritur se qëllimi strategjik mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights