Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në punimet e Kongresit të Parë të Shëndetësisë, ku një ndër temat e diskutuara ishte “Sfidat e financimit të sistemit shëndetësor publik”.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj vuri theksin në përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të rritur investimet në sektorin shëndetësor, i cili ndërthuret me ekonominë dhe është i rëndësishëm në jetën e çdo qytetari.

Ministrja u shpreh se, qeveria në vitet e fundit është fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës në sektorin shëndetësor, si një parakusht për ofrimin e shërbimeve cilësore, si dhe në investimin sa i përket burimeve njerëzore.

“Kryefjala e të gjithë përpjekjeve që ne kemi bërë për sistemin shëndetësor është investimi që ne duam të vazhdojmë të bëjmë për burimet njerëzore dhe vlerësimi që ne duam t’i bëjmë gjithë kapaciteteve të burimeve njerëzore të sistemit shëndetësor. Vitet e fundit është bërë shumë në investime infrastrukturore dhe digjitalizim. Një rol të rëndësishëm në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ka luajtur dhe partneriteti publik privat, pra ndërlidhja e ofrimit të shërbimeve me privatin, pasi pa të është gati e pamundur që të ofrohen shërbime cilësore në kohën e duhur”, tha Ibrahimaj.

Në këtë drejtim, sipas ministres, partneritetet e lidhura nga Ministria e Shëndetësisë në vitet e fundit kanë ndikuar në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe arritjen e synimit të përgjithshëm të qeverisë për të hartuar politika parandaluese, në mënyrë që në të ardhmen të ulen kostot e financimit të menaxhimit të përgjithshëm spitalor.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e hartimit të politikave të qëndrueshme financiare dhe të ofrimit të shërbimeve, në kushtet kur politikat e financimit përballen me kufizime, jo vetëm në vendin tonë, ndikuar nga një sërë faktorësh.

Megjithatë, Ibrahimaj tha se, qeveria është e gatshme të marrë në konsideratë alternativa financimi dhe analiza të përgjithshme me qëllim që të eliminohet çdo lloj kufizimi që mund të ketë në të ardhmen për financimin.

Në përfundim të fjalës, ministrja ritheksoi angazhimin dhe vëmendjen maksimale të qeverisë ndaj shëndetësisë, si një sektor jetik për mirëqenien e popullsisë.

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights