Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është përgjigjur thirrjeve të Zelensky-t për të parë gjendjen e Ukrainës, por jo në mënyrën si shumica do e prisnin.
Trump ka fajësuar Zelensky për fillimin e luftës, siç raporton BBC, pasi është shprehur se kreu i Ukrainës ka po aq faj sa Putin për miliona njerëz të vdekur.
“Ju nuk filloni një luftë kundër dikujt që është 20 herë më shumë se ju, e më pas të shpresoni që njerëzit t’ju japin raketa”, ka thënë Trump për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë.
Për Trump, Presidenti i Ukrainës ka qenë gjithnjë në kërkim të zotërimit të raketave.
“Kur nis një luftë, duhet të jesh i sigurt se fiton”, shtoi Trump duke vijuar me fajësimin e Zelensky për gjendjen e krijuar në Ukrainë.
Një ditë më parë Zelensky i bëri thirrje Trump që përpara se të bëjë ndonjë marrëveshje me Rusinë, të vizitojë nga afër Ukrainën e të shohë gjendjen e luftës. Sipas Zelensky, Rusia priret të ketë një ndikim të madh në SHBA, ndaj dhe shtroi një kërkesë të tillë Trump-it.
Nga ana tjetër, Trump e cilësoi një gabim të tmerrshëm sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, nga ku u regjistruan viktima të shumta, mes tyre dhe fëmijë.