Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka refuzuar të arrijë një marrëveshje me Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), pas padisë që kjo e fundit ka ngritur ndaj tij për shpifje dhe fyerje të bëra publikisht. Avokatët e Bardhit kanë refuzuar gjithashtu propozimin e juristëve të KESH për të tërhequr kallëzimin, nëse deputeti demokrat do të përgënjeshtroje akuzat që ka bërë.
Kjo padi ka të bëjë me akuzat për abuzime në procedurat e shitblerjes së energjisë, të cilat mund të arrijnë vlera në miliona euro. KESH ka akuzuar Bardhin për disa deklarata të bëra në një konferencë për shtyp më 18 tetor 2024, të cilat e konsideron të pavërteta. Çështja është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.
Ky është rasti i dytë që Bardhi përballet me akuza për shpifje. Më parë, ai është kallëzuar nga ish-drejtori i policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, për shpifje, por është shpallur i pafajshëm nga GJKKO. Po ashtu, në dhjetor, OSHEE e paditi Bardhin për shpifje lidhur me një deklaratë që ai bëri në Kuvend mbi përqindjen e humbjes së energjisë dhe abuzimet me tenderat.