Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos do t’u propozojë qeverisë dhe opozitës një armëpushim për hir të reformave integrimit. Duke folur në një panel në Bruksel në krah të ambasadorit shqiptar Hoxha dhe atij grek Ioannis Vrailas, Kos paraqiti propozimin për një pakt kombëtar.
“Për të shpejtuar me të vërtetë procesin e anëtarësimit, këshilla ime për vendet kandidate është që ta bëjnë anëtarësimin një projekt kombëtar. Një projekt që është në pronësi jo vetëm të qeverisë, por edhe të opozitës, organizatave të shoqërisë civile dhe komuniteteve lokale. Të gjithë duhet të jenë pjesë e këtij rrugëtimi transformues. Në kohën kur Sllovenia ishte kandidate për anëtarësim, kishte një marrëveshje mes të gjitha partive politike që të mos debatonin për çështjet e BE-së. Ky unitet ishte i dobishëm në përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit në BE”, tha Marta Kos.
Kos i konsideron Shqipërinë dhe Malin e Zi si shtete pararojë në procesin e anëtarësimit deri në vitin 2030. Sipas Kos, gjatë presidencës polake, do të organizohen deri në 10 konferenca ndërqeveritare që shërbenin për hapjen dhe mbylljen e grupimeve dhe kapitujve me Tiranën dhe Podgoricën.
“Shpresoj se gatishmëria e BE-së për zgjerim është tashmë reale, pasi prej njëzet vitesh vendi im e ka ndjekur procesin e anëtarësimit pa arritur një progres konkret. Ne vinim në Bruksel dhe largoheshim duarbosh. Kur ka vullnet te ndërsjelltë, gjendet një mënyrë për të zgjidhur problemet. Në 10 vitet e fundit kemi demonstruar momentin e nevojshëm reformues, duke zbatuar ndryshimet e nevojshme ligjore për të përmbushur të gjitha kriteret. Shqipëria tashmë po sillet si një shtet anëtar i BE-së dhe kërkon përshpejtimin e proceseve të anëtarësimit nga pala e Brukselit. Qëllimi ynë është që të përfundojmë negociatat në vitin 2027 dhe në fund të dekadës ne aspirojmë të bëhemi anëtarë të BE-së”, tha Ferit Hoxha.
Ambasadori i Greqisë në BE Ioannis Vrailas solli si shembull përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.
“Kur u zgjidh një çështje që na shkaktonte një problem, ne u ulëm në tryezë me shqiptarët dhe brenda 2.5 muajsh arritëm më shumë se sa nuk ishte arritur në dy dekadat e mëparshme. Ata duhet qe të fokusohen në një axhendë pozitive, qe të vazhdojnë reformat e nevojshme dhe të shmangin përkeqësimin e problemeve duke forcuar marrëdhëniet e tyre me vendet fqinje”, tha Ioannis Vrailas.
Në konferencë u theksua se BE-ja duhet të sigurojë se është në gjendje të akomodojë 30 anëtarë plus në përbërje të familjes evropiane.