Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut” ose Pëllumb Muharremi, duke e dënuar atë me 10 muaj burg për akuzën e korrupsionit. Fillimisht, gjykata vendosi një dënim prej 1 viti e 3 muajsh, por në bazë të procedurës së gjykimit të shkurtuar, Laho përfitoi uljen e një të tretës së dënimit.
Sipas dosjes së SPAK, ai kishte ofruar një shumë prej 600 mijë lekësh, me premtimin për të dhënë edhe 300 mijë të tjera, ndaj zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku. Shuma e dhënë kishte si qëllim mosapelimin e një çështjeje pronësie që përfshinte 45 mijë metra katrorë tokë publike në zonën e Gjirit të Lalzit.
Aleksandër Laho nuk është një emër i panjohur për autoritetet, pasi ai është përfshirë edhe më herët në çështje kriminale. Në vitin 2019, ai mbeti i plagosur në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ku humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku. Ndërkohë, hetimet kanë zbuluar se Laho kishte kontakte të drejtpërdrejta me zyrtarë të Avokaturës së Shtetit për çështjen korruptive në fjalë.
Nga ana tjetër, edhe Irgen Kërçuku është dënuar me 2 vite burg për këtë aferë korrupsioni. Aktualisht, “Rrumi i Shijakut” vijon të jetë në arrati, ndërsa avokati i tij pretendon se klienti i tij ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të plagëve të pësuara në atentatin e vitit 2019.
Ndërkohë, SPAK ka vijuar hetimet dhe, falë dekriptimit të komunikimeve në aplikacionin Sky Ecc, ka arritur të identifikojë grupin që organizoi dhe kreu atentatin ndaj prokurorit Ndoja, ku ndër të dyshuarit kryesorë përfshihet edhe Plaurent Dervishaj.