Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj zërave kritikë që argumentojnë se pas tre mandateve në pushtet ai duhet të largohet. Në një komunikim në rubrikën e tij “Sy m’Sy” në rrjetet sociale, ai solli shembuj nga Gjermania dhe Holanda, ku liderët politikë kanë qeverisur për katër mandate radhazi, duke theksuar se edhe ai kërkon vazhdimësinë për të çuar përpara reformat.

Rama e cilësoi 11 majin si një moment kyç për të përmbushur një nga qëllimet madhore të vendit.

“E kam marrë këtë përgjegjësi për ta çuar Shqipërinë aty ku e kanë dashur të gjithë ata që nuk janë më, aty ku e thotë amaneti i të parëve tanë: në Europë, përkrah 27 vendeve të tjera. Ky është misioni ynë dhe nuk ka kthim pas,” – deklaroi ai.

Gjatë bisedës, ai nuk la pa komentuar as çështjet që lidhen me korrupsionin brenda radhëve të Partisë Socialiste, duke pranuar se ka individë që janë përballur me drejtësinë, por duke theksuar se kjo është një provë e forcës së reformës në drejtësi.

“Si çdo pyll që ka derrat e vet, edhe ne kemi individë që për fat të keq i përkasin drejtësisë dhe jo rrugës së Partisë Socialiste,” – u shpreh Rama.

Duke iu referuar opozitës, ai ironizoi mungesën e një programi konkret nga kundërshtarët e tij politikë, duke thënë se për ta fushata është reduktuar në akuza dhe sulme personale.

Në lidhje me investimet në shëndetësi, Kryeministri përmendi transformimet në spitale, duke përmendur QSUT-në dhe qendrat spitalore në qytete të tjera si Shkodra, Vlora, Fieri dhe Durrësi.

 

Sa i përket debatit mbi komunitetin bektashi, Rama siguroi se çdo vendim do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe modelin e vendeve të tjera europiane.

Në fund, Kryeministri iu përgjigj akuzave për emigrimin e shqiptarëve, duke e cilësuar këtë si një fenomen global dhe duke shprehur besimin se shumë bashkatdhetarë do të rikthehen në atdhe në të ardhmen.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights