Gjykata e Posaçme shpalli fajtore Englantina Zeren, ish-drejtoreshën e “Tirana Parking” për shkelje të barazisë në tendera dhe e dënoi me një vit burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i konvertohet me tetë muaj burg në lidhje me fraksionin e tretë të dosjes “5D”.
Po ashtu fajtorë u shpallën edhe katër anëtarët e tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati, të cilët u dënuan me nga nëntë muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar konvertohet në 6 muaj burg.
Sipas akuzës, Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të dënuarit e tjerë, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, për rikonstruksionin e sheshit të parkimit në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ky tender është zhvilluar më 1 tetor të vitit 2019.
Shoqëria “V.A.S Konstruksion” drejtohej ose posedohej në mënyrë “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato. Kjo kompani më vonë mori emrin “5D”.
“Nga komunikimet që janë zhvilluar dhe bisedat mes tyre, por edhe mënyrën si është zhvilluar procedura tenderuese SPAK ka dyshime të forta që kemi të bëjmë me favorizimin e kompanisë që drejtohej nga dy drejtorët e fuqishëm të Bashkisë së kryeqytetit”.
Ky është vendimi i dytë i GJKKO-së pasi më herët është dënuar Deborah Keçi, për një fraksion tjetër të dosjes “5D”. Sa i përket pjesës kryesore të dosjes, ku akuzohen Redi Molla, Mariglen Qato, Taulant Tusha dhe disa të tjerë, gjykimi vijon me procedurë të zakonshme.