Autoriteti irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (DPC), që mbikëqyr kompanitë e mëdha teknologjike në BE, ka gjobitur Google me 403 milionë euro për shkeljen e rregullave europiane për mbrojtjen e të dhënave, lidhur me mënyrën se si kompania përdorte të dhënat e vendndodhjes së përdoruesve.
Hetimi i autoritetit irlandez, i cili mbikëqyr Google në nivel europian për shkak se selia e kompanisë për Evropën ndodhet në Dublin, nisi në shkurt të vitit 2020, pas ankesave të paraqitura nga disa organizata evropiane për mbrojtjen e konsumatorëve. Ato kundërshtonin mënyrën se si Google menaxhonte të dhënat e vendndodhjes së përdoruesve në produkte dhe shërbime të caktuara.
Sipas zëvendëskomisionerit të DPC-së, Graham Doyle, mangësitë e Google bënë që qytetarët të mos ishin plotësisht të vetëdijshëm se të dhënat për vendndodhjen e tyre mund të përdoreshin për t’u shfaqur reklama të personalizuara apo për të nxjerrë përfundime mbi interesat e tyre personale.
Kjo, sipas autoritetit, u shkaktoi përdoruesve një humbje konkrete të kontrollit mbi të dhënat e tyre personale.
Një tjetër faktor që rëndoi situatën ishte ruajtja e të dhënave të vendndodhjes për një periudhë më të gjatë se sa ishte e nevojshme.
Hetimi mbulon periudhën 2018-2020 dhe lidhet veçanërisht me përputhshmërinë me GDPR-në të funksioneve të Google si “Aktiviteti në ueb dhe aplikacione”, “Historiku i vendndodhjes” dhe “Saktësia e vendndodhjes”.
Një zëdhënës i Google tha për AFP se rasti lidhet me rregulla të vjetra, të cilat që atëherë janë përditësuar.
Sipas tij, që prej vitit 2019 kompania ka prezantuar mjete të reja dhe më të avancuara, që e bëjnë më të lehtë menaxhimin e të dhënave të vendndodhjes.
Vendimi i DPC-së përbën gjobën e katërt më të lartë të vendosur ndonjëherë nga autoriteti irlandez i mbikëqyrjes. Gjoba më e madhe e vendosur nga ky rregullator ishte ajo ndaj Meta-s në vitin 2023, në vlerën 1.2 miliardë euro, për transferimin e të dhënave personale të përdoruesve nga Bashkimi Europian drejt Shteteve të Bashkuara.
