Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion ka marrë zyrtarisht të pandehur kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Siç raportohet, Prokuroria ka kërkuar zgjatjen e afateve hetimore deri më 29 shtator për çështjen ndaj tij, ndërkohë, këtë mëngjes, 23 korrik, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është marrë zyrtarisht e pandehur dhe i janë komunikuar akuzat në prani të avokatit të saj, Maks Haxhia.
Ndërsa kryebashkiakut Veliaj, akuzat do t’i komunikohen zyrtarisht në ambientet e paraburgimit të Durrësit, bën me dije gazetarja e Klan News, Glidona Daci.
Veliaj është vënë në hetim nga SPAK disa muaj më parë dhe që prej 10 shkurtit, kur u arrestua, qëndron në paraburgimin e Durrësit.
Kujtojmë se dje, 22 korrik, në një reagim zyrtar ekipi ligjor i kryebashkiakut hodhi akuza në drejtim të SPAK, se po shkel sekretin hetimor dhe po përpiqet të ndikojë publikun në dëm të klientit të tyre.
Ata theksuan po ashtu se pritet përfundimi i hetimeve dhe njoftimi zyrtar i akuzave nga SPAK, si mundësia e parë për të shqyrtuar provat dhe për të kundërshtuar ligjërisht akuzat ndaj Erion Veliajt.