Një nga personat e dyshuar për sulmin e dhunshëm ndaj një 52-vjeçari në Sarandë është vënë në pranga nga policia. Ngjarja ndodhi pasditen e 21 shkurtit, rreth orës 16:10, në zonën e njohur si “Rruga për në Heremec”, në lagjen nr. 3. Dy agresorët dyshohet se për motive të dobëta kanë ushtruar dhunë të rëndë mbi viktimën, duke e goditur me grushte, shkelma dhe sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime serioze.
Pas një operacioni hetimor, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arritën të lokalizojnë dhe arrestojnë një 37-vjeçar, i cili po fshihej në një banesë në fshatin Lukovë. Sipas burimeve policore, i ndaluari rezulton me precedentë penalë për vepra penale të mëparshme të lidhura me krimet ndaj personit.
Ndërkohë, policia është ende në kërkim të bashkëpunëtorit të tij, i cili është shpallur në kërkim për të njëjtën vepër penale. Dy autorët e dyshuar akuzohen për “Plagosje të rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të vënë përpara drejtësisë personin tjetër të përfshirë.