Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar 35 procedime penale në lidhje me krimet zgjedhore.
SPAK bën me dije se 20 prej tyre janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit, ndërsa 8 prej tyre janë nisur kryesisht nga struktura e posaçme.
Pjesa tjetër e hetimeve kanë nisur si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm, referime nga prokuroritë dhe kallëzimet e subjekteve politike.
Pjesa kryesore e hetimeve janë regjistruar për korrupsion aktiv në zgjedhje, në 29 raste më saktësisht. Në 4 të tjera për korrupsion aktiv/pasiv në zgjedhje, në 1 tjetër për përdorim të funksionit publik për qëllime politike dhe 1 procedim për shpërdorim i detyrës.
SPAK njoftoi se në total u administruan 123 kallëzime për krimet zgjedhore. Për 22 prej tyre është vendosur për mosfillim të hetimit penal.
16 rase të tjera janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe në 10 të tjera janë dërguar për verifikim në drejtoritë vendore të policisë për informacion ose për kryerje të veprimeve të para.