Policia e Shkodrës ka bërë të mundur arrestimin e autorëve të dyshuar për vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Mataj, pas dy ditësh në arrati. Mes të ndaluarve janë tre anëtarë të familjes Hasaj: Rrustem Hasa dhe dy djemtë e tij, Arjon dhe Klinsman Hasa. Një i katërt është shoqëruar për t’u hetuar si bashkëpunëtor në ngjarje.
Një nga të dyshuarit u ndalua në pikën kufitare, ndërsa po tentonte të largohej nga vendi. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar në detaje rrethanat e krimit dhe përfshirjen e çdo të dyshuari.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, pista kryesore lidhet me një konflikt personal mes viktimës, Ramazan Mataj, dhe njërit prej djemve të familjes Hasaj. Viktima, i cili kishte një jetë të qetë dhe pa precedentë penalë, u qëllua për vdekje me armë automatike brenda makinës së tij, një “Benz”.
Ngjarja ndodhi në fshatin Dragoç të dielën, ku banorët lokalë gjetën trupin e pajetë të Matajt. Autorët dyshohet se kishin vëzhguar lëvizjet e tij dhe, në momentin që ai doli në rrugën kryesore, kanë hapur zjarr, duke e lënë të vdekur në vend.
Ramazan Mataj kishte jetuar në Belgjikë për disa vite dhe ishte kthyer në Shqipëri një vit më parë. Ai punonte në ndërtim në Mal të Zi dhe njihej si një person i qetë dhe larg konflikteve.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe për të siguruar drejtësi për këtë ngjarje të rëndë.