Vrasja e Bujar Nasufit, ngjarje e ndodhur në mbrëmjen e 12 janarit në zonën e Selitës në kryeqytet, tashmë ka një shpjegim përse ka ndodhur.
Siç raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktari, grupi hetimor ka arritur të zbulojë se kush janë porositësit e vrasjes së 56-vjeçarit.
Kanë qenë dy vëllezër, Voltan dhe Jugert Xhani, të cilët dyshohet të jenë porositësit. Motivi ka të bëjë me një përplasje midis familjeve Nasufi dhe Xhani për shkak të një prone.
Vëllezërit Xhani nuk janë emra të panjohur për blutë, pasi dyshohen të jenë të përfshirë dhe në vrasjen e Elis Roshkodolit, në gusht të vitit 2024 në Shkodër. Ata janë arrestuar nga forcat RENEA në maj të këtij viti, në një restorant në Gjirin e Lalzit, nga operacioni policor i koduar “Enigma”, nën shoqërinë e personave të tjerë të botës së krimit.
Motivi i ekzekutimit të Bujar Nasufit
Gjithçka për një pronë!
Konkretisht babai i Bujar Nasufit i kishte shitur një pronë familjes Xhani në zonën e Selitës.
Trualli i banesës ishte ende në emër të Nasufit dhe në momentin e shpronësimit të tokës nga ndërtimi i Unazës së Madhe, paratë prej rreth 30 mijë eurosh janë përvetësuar nga familja Nasufi dhe jo nga familja Xhani, edhe pse këta të fundit e kishin blerë më përpara këtë pronë.
Autori i krimit, ende pa identitet
Autori i cili shfaqet në këtë foto dyshohet të jetë vrasës me pagesë, ku i maskuar si shitës picash ekzekutoi me armë zjarri sapo Bujar Nasufi po parkonte makinën pranë banesës së tyre.
Ai mbante skafandër në kokë dhe me rroba të zeza në mënyrë që të mos identifikohej nga kamerat. Pas krimit ai dogji motorin dhe armën që më pas i gjetën nga policia.
Grupi hetimor vijon hetimet për zbulimin e identitetit të autorit.
Arrestimi i vëllezërve Xhani
Vëllezërit Xhani nuk janë emra të panjohura për blutë. Edhe pse dyshohen si porositës të ekzekutimit të Bujar Nasufit, precedenti i tyre kriminal daton që prej një viti më parë, atë të vrasjes së Elis Roshkodolit.
E gjitha ka ndodhur më 23 maj të këtij viti, kur efektivët e RENEA-s ndërhynë teksa Xhevdet Plaku së bashku me gjashtë persona të tjerë (mes tyre dhe vëllezërit Xhani), teksa të gjithë po darkonin në një restorant në Gjirin e Lalzit.
Voltan Xhani cilësohet nga blutë si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai akuzohet nga SPAK për sigurimin e kushteve për vrasjen e Elis Roshkodolit, teksa ndodhet ende nën masën e sigurisë “arrest në burg” me vendim të GJKKO-së.
E njëjta masë sigurie u la dhe për të vëllain, Jugert Xhanin.
Çfarë ndodhi mbrëmjen e 12 janarit në Tiranë
Bujar Nasufi u ekzekutua mbrëmjen e 12 janarit në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli” në Tiranë.
Ai u qëllua me breshëri automatiku sapo mbërriti në vendparkimin pak metra larg banesës së tij. Autori e ka pritur Nasufin në afërsi të banesës dhe më pas e ka vrarë me armë zjarri në sy të bashkëshortes së tij. Kjo e fundit ishte brenda automjetit në momentin kur autori e qëlloi shënjestër duke e lënë të vdekur në vend.
Kanë qenë dy automjete, një e viktimës dhe tjetra e vëllait të tij që po afroheshin drejt banesës. Të dyja familjet jetojnë në një godinë, pallat që e kanë ndërtuar para disa vitesh. Fillimisht në rrugicë është futur mjeti i të vëllait, ndërsa pas ka qenë mjeti i 56 vjeçarit. Sapo ky i fundit ka dashur të parkojë në rrugë, autori është afruar dhe e ka qëlluar, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas është larguar me motor drejt zonës së Selitës.
56-vjeçari ishte biznesmen në fushën e mobilerisë. Ai nuk rezultonte person me precedent penal.