1717854421 aleksandervucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Shqipëria dhe Kroacia kanë hyrë në një “garë armësh” pas nënshkrimit të një memorandumi për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Kosovën. Gjatë një konference për gazetarët në Bruksel, më 19 mars, Vuçiç e cilësoi këtë veprim si një sfidë për Serbinë, duke shtuar se vendi i tij do të mbrojë integritetin territorial nga çdo kërcënim.

“Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Do ta ruajmë vendin tonë dhe do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm,” tha Vuçiç.

Ai argumentoi se ky memorandum shkel “marrëveshjen nënrajonale” për kontrollin e armëve nga viti 1996 dhe pretendoi se NATO nuk ishte njoftuar për këtë veprim. Këtë çështje ai e ngriti edhe gjatë bisedës me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, por pa zbuluar reagimin e tij.

Nga ana tjetër, Rutte shkroi në X (ish-Twitter) se kishte diskutuar me Vuçiç për sigurinë rajonale dhe për forcimin e marrëdhënieve mes NATO-s dhe Serbisë.

Deklarata e përbashkët e ministrave të Mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës synon të thellojë bashkëpunimin ushtarak mes tre vendeve dhe të forcojë sigurinë në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights