Mediat greke kanë publikuar detaje të tjera në lidhje me vrasjen e 41-vjeçarit shqiptar Altin Arapaj në Greqi, autor i të cilës është po ashtu një bashkëkombas i tij, Mikel Selimaj me origjinë nga Vlora.
Sipas policisë, viktima dhe autori kishin lënë një takim të martën mbrëma në plazhin e Artemida-s. Të dy kanë udhëtuar me makinën e Selimajt dhe në një kryqëzim kanë ndaluar për disa minuta.
Pas një debati, policia greke dyshon se 46-vjeçari shqiptar e qëlloi viktimën me armë në fytyrë. Arapaj nuk ndërroi jetë menjëherë, por u largua me vrap dhe telefonoi të shoqen ku i tha se ishte qëlluar me armë dhe i tregoi emrin e autorit.
ERT shkruan se as ngjarjes, 46-vjeçari Selimaj qëndroi në apartamentin me qira në zonën e Glyka Nera-s. Në një moment, pronarja ka dashur të kontaktojë me të, por pasi i ka rënë derës, shqiptari nuk i është përgjigjur. Pasi dështoi ta hapte derën, ka telefonuar policisë duke menduar se personi në shtëpi mund të ketë humbur ndjenjat.
Efektivët e policisë shkuan në vendin e ngjarjes dhe për 20 minuta i kanë rënë ziles dhe derës. Pas kësaj kohe, 46-vjeçari e ka hapur derën dhe sipas informacioneve dyshohet se ishte nën ndikimin e lëndëve narkotike.
Policia e identifikoi menjëherë për shkak të fotos së tij të shpërndarë dhe e arrestuan.
Kujtojmë se 41-vjeçari shqiptar Altin Arapaj u gjet i pajetë pas 18 orësh mes vreshtash në Rafina. Ai ishte emër i njohur për policinë greke pasi më herët ishte përfshirë në raste të trafikut të drogës.
Dyshimet e autoriteteve janë se ngjarja ka ndodhur për llogaridhënie të punëve që lidhen me lëndët narkotike, por kjo ende nuk është konfirmuar.