Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur në sheshin Skënderbej, në kuadër të Samiti Politik Evropian që po mbahet në kryeqytetin tonë.
Pas takimit të saj me kryeministrin Edi Rama, Osmani u ndal dhe tek gazetarët për t’u përgjigjur pyetjeve të këtyre të fundit.
Lidhur me situatën politike të Kosovës, e cila që pas zgjedhjeve parlamentare të saj ka qëndruar në krizë, Osmani u shpreh se situata është brenda normave që lejonm demokracia, por duhet krijimi i institucioneve për të mirën e vendit.
“Natyrisht situata që po ndodh është brenda normave demokratike. Shpresojmë se do të ketë një zgjidhje pasi është në interes të vendit dhe të popullit tonë të kemi zgjidhje. Ne po humbim shumë që nuk kemi formim të institucioneve”, tha ajo.
Për bisedimet me Serbinë, Presidentja Osmani ishte më e prerë, duke u shprehur se për Kosovën kanë më shumë rëndësi dialogjet me Bashkimin Evropian për shkak të aspirimit për t’u anëtarësuar tek unioni.
“Më me rëndësi se sa bisedimet me Serbinë, janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Siç e dini Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE para 2 viteve. Për fat të keq akoma ky aplikacion nuk është shqyrtuar nga ana e Bashkimit Evropian për shkak të disa komplikimeve të panevojshme politike të cilat krijohen nga disa shtete anëtare”, tha ajo.
Një mesazh pati nga ana e Osmanit për unionin evropian, që përtej fjalëve të bukura, të punohet për anëtarësimin e shteteve të cilat aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Meqë ky është dhe samiti i 6-të ka ardhur koha që përtej fjalëve të bukura që i jepen shtetev aspiruese për anëtarësim të ketë veprime konkrete. Meqë ky samit pikërisht mbahet në Ballkanin Perëndimor është shumë me rëndësi që të kemi rezultate konkrete në veçanti për shtete si Kosova, e cila është 100% në linjë të plotë me vendimet e BE sa i përket politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, më parë duhet të flasim për heqjen e masave nga ana e Bashkimit Evropian, sepse edhe kjo e dëmton vetë kredibilitetin e BE-së”, tha presidentja.