Mesazhi i tij i fundit drejtuar diasporës për dërgimin e zarfeve me votën e tyre në qendrat përkatëse! Përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama thotë se e Diela e 11 Majit është jo vetëm përcaktim i forcës qeverisëse për 4 vitet e ardhshme, por takim me historinë.
“Është dita e fundit e ballafaqimit mes të gjithë palëve përpara gjykimit të popullit sovran, të të gjithëve ju me votën tuaj, të Dielën, më 11 Maj. Ky është edhe mesazhi i fundit që dua t’ju përcjell të gjitha motrave dhe vëllezërve tanë në Greqi, Itali, Britani e me radhë ku ende ka zarfa nëpër shpia.
Ka ende kohë për t’u bërë pjesë e takimit historik! Për të takuar historinë sëbashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që më 11 Maj do të përcaktojnë pa asnjë ekuivok (dyshim) rrugën e fatit europian.
Ju lutem, ju lutem, ju lutem jeni në kushtet që për herë të parë në histori mund të votoni drejtpërdrejt nga jashtë kufijve dhe keni shansin historik të merrni pjesë në një palë zgjedhje që janë më shumë se sa për partitë, janë zgjedhje për të përcaktuar se ku do të jetë Shqipëria 2030.
Për t’i dhënë një fuqi të re vendimmarrëse dhe një frymë të fortë bashkimi europian vetë Shqipërisë!”, ishte thirrja e tij për emigrantët shqiptarë me të drejtë vote këtë vit.