Tre të rinj kanë rënë në prangat e Policisë së Himarës, pasi dyshohet se hynë me dhunë në banesën e një 70-vjeçari në fshatin Borsh, të cilin e kanosën me një imitues arme zjarri, me qëllim grabitjen e një shume parash.
Sipas hetimeve, autorët e dyshuar kishin mbajtur nën vëzhgim banesën e të moshuarit për dy ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të realizuar planin e tyre kriminal. Njëri prej të arrestuarve rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për vepra penale në fushën e narkotikëve.
“Himarë / Finalizohet operacioni policor i koduar ‘Shuma’. Hynë në banesën e një të moshuari, e mbajtën me dhunë dhe e kanosën me një imitues arme zjarri (pistoletë çakmak), me qëllim vjedhjen e një shume parash. Identifikohen, kapen dhe arrestohen 3 autorët e dyshuar.
Njëri prej të arrestuarve ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për krime në fushën e narkotikëve.
Autorët kishin mbajtur në vëzhgim banesën e 70-vjeçarit për 2 ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të kryer krimin.
Sekuestrohet automjeti tip “Mercedes-Benz”.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas kallëzimit të një 70-vjeçari, se më datë 12.07.2026, në fshatin Borsh, 3 shtetas kishin hyrë në banesën e tij, e kishin mbajtur me dhunë dhe e kishin kanosur me një imitues arme zjarri, me qëllim vjedhjen e një shume parash, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë finalizuan operacionin policor të koduar “Shuma”.
Në kuadër të operacionit u identifikuan, u lokalizuan dhe u vunë në pranga shtetasit:
Xh., 25 vjeç, banues në Selenicë;
T., 23 vjeç, banues në Vlorë;
C., 19 vjeç, banues në Vlorë.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. C. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për krime në fushën e narkotikëve.
Nga hetimet rezultoi se 3 shtetasit kishin mbajtur banesën e 70-vjeçarit në vëzhgim për 2 ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të kryer krimin”, shkruan Policia.
