Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane Jorida Tabaku, deklaroi sot se zgjedhjet parlamentare të 11 majit përbëjnë një mundësi të humbur për Shqipërinë dhe një dështim për demokracinë, në një moment kyç për integrimin europian të vendit.
Gjatë mbledhjes së parë të Komisionit të Çështjeve Europiane pas zgjedhjeve, Tabaku theksoi se ky proces zgjedhor, i pari pas hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, duhet të kishte qenë një provë e sjelljes ndryshe nga klasa politike dhe e forcimit të standardeve demokratike.
Sipas Tabakut, në vend që të tregonim përparim, vendi bëri hapa pas.
“Së pari, zgjedhjet e 11 majit ishin të parat që u zhvilluan në një kontekst të ri për Shqipërinë, në një vend që ka hapur negociatat me Bashkimin Europian. Ishte një test i ri i veçantë në rrugën drejt procesit të integrimit. Fatkeqësisht, ky ishte një test i dështuar”, tha Tabaku.
Tabaku nënvizoi se “ishte një rast për të treguar se demokracia mund të funksionojë, se partitë politike mund të konkurrojnë në kushte të barabarta dhe se administrata mund të qëndrojë larg presionit politik. Por nga raporti paraprak i OSBE/ODIHR, nga dëshmitë në terren dhe nga mënyra se si u zhvillua procesi, del qartë se ky standard nuk u arrit. Vetëm zgjedhje evropiane nuk ishin”.
“Është një mundësi e humbur që këto zgjedhje që ishin më të vërtetë test për demokracinë të tregonin së Shqipëria ishte në një fazë tjetër. Këto zgjedhje të konfirmuara edhe nga raporti i OSBE-ODIHR treguan se Shqipëria jo vetëm nuk është gati por ishin hapa pas në organizimin e proceseve zgjedhore”, tha Tabaku.
Tabaku theksoi se nuk ka rëndësi sa kapituj apo grupkapituj hapen në procesin e integrimit, por rëndësi ka mënyra si përmirësohen standardet, si respektohen të drejtat politike, si zhvillohen zgjedhjet dhe si funksionon ndarja e pushteteve.
“Raporti i Komisionit mbi Cluster 1, që përfshin shtetin e së drejtës, institucionet demokratike dhe të drejtat themelore, është shumë i qartë: nëse nuk përmirësohet cilësia e zgjedhjeve dhe funksionimi i institucioneve, atëherë progresi formal në negociata është i pakuptimtë”, tha Tabaku.
Tabaku u shpreh se “duhet të diskutojmë raportin e OSBE/ODIHR, të identifikojmë përgjegjësitë e Kuvendit dhe të kërkojmë që ky institucion të reflektojë”.
“Për më tepër, jemi në një moment të rëndësishëm diplomatik, me përfundimin e Presidencës Polake dhe fillimin e Presidencës Daneze të Këshillit të BE-së — një tjetër arsye për të treguar seriozitet dhe për të rikuperuar standardet e humbura. E theksoj edhe një herë: për Shqipërinë nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës europiane. Por kjo rrugë kërkon standard, kërkon reformë reale dhe kërkon vullnet politik për t’u përmirësuar”, tha Tabaku.