Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance dhe negociatorë të tjerë të SHBA-ve zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta me zyrtarë iranianë në Zvicër, duke nisur një periudhë 60-ditore negociatash për programin bërthamor të Iranit, ndërsa një raund i dytë takimesh është planifikuar të zhvillohet të hënën, 22 qershor.
Komandanti i Forcës Quds të Gardës Revolucionare Iraniane, Esmail Qaani, i ka bërë thirrje Izraelit të tërhiqet nga jugu i Libanit, duke paralajmëruar se në të kundërt do të përballet me të njëjtin fat si në vitin 2000, kur u detyrua të largohej nga territori libanez.
Në një postim në rrjetet sociale, Qaani tha se nëse Izraeli vazhdon “agresionin dhe pushtimin”, do të dëbohet sërish me “poshtërim dhe humbje”.
“Nëse nuk tërhiqeni nga jugu i Libanit me vullnetin tuaj, historia e vitit 2000 do të përsëritet. Atëherë u larguat nga kjo tokë në turp. Zgjedhja është e juaja”, deklaroi ai.
Irani ka rritur ndjeshëm eksportet e naftës së papërpunuar përmes Ngushticës së Hormuzit, duke arritur nivelin më të lartë që nga nisja e luftës, ndërsa aktiviteti detar në rajon po shtohet mes përpjekjeve të Teheranit dhe Washingtonit për të arritur një marrëveshje afatgjatë paqeje.
Sipas Bloomberg, rreth 6 milionë fuçi naftë iraniane ndodhen në bordin e tre supertankerëve të sanksionuar nga SHBA-të, Elva, Virgo dhe Vigor, të cilët kanë kaluar nëpër këtë korridor strategjik detar.
Të dhënat e gjurmimit të anijeve tregojnë se trafiku në Ngushticën e Hormuzit po rritet, pavarësisht tensioneve që vazhdojnë në rajon.