Ushtria izraelite ndërmori një seri të zgjeruar sulmesh ajrore të hënën, duke goditur objektivat e Hezbollahut në jug të Libanit, në luginën Beka dhe pranë kufirit verior me Sirinë.
I pyetur për një ndërhyrje të mundshme tokësore në Liban, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, deklaroi se “do të ndërmarrim çdo hap të nevojshëm” për të rikthyer banorët e zhvendosur nga veriu i Izraelit në shtëpitë e tyre. Hagari gjithashtu u bëri thirrje banorëve të jugut të Libanit të largohen nga zonat ku Hezbollahu ka pozicionuar forcat e tij, duke theksuar se grupi është cilësuar si organizatë terroriste nga SHBA.
Hagari tha se Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka fshehur armatime të rënda, përfshirë raketa lundruese, nëpër shtëpi civile në jug të Libanit, dhe u bëri thirrje banorëve të largohen për sigurinë e tyre. Ai prezantoi një video që sipas tij tregonte anëtarë të Hezbollahut duke përgatitur raketa lundruese për t’i lëshuar nga një ndërtesë banimi në Liban, para se sulmet izraelite të neutralizonin kërcënimin. “Hezbollahu po rrezikon jetët tuaja dhe të familjeve tuaja,” theksoi ai.
Agjencia Reuters raportoi se avionët izraelitë bombarduan rëndë qytete pranë kufirit jugor të Libanit, përfshirë zona më në veri. Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut u përshkallëzua të dielën, kur grupi militant libanez lëshoi qindra raketa në territorin izraelit në përgjigje të sulmeve ajrore izraelite.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, deklaroi se operacionet do të vazhdojnë derisa të sigurohet kthimi i të zhvendosurve nga kufiri izraelit. Në javët e fundit, Hezbollahu ka përjetuar një presion të shtuar, veçanërisht pas shpërthimit të mijëra pajisjeve të tij të komunikimit. Grupi ka fajësuar Izraelin për këtë incident, ndërsa autoritetet izraelite nuk kanë komentuar për përgjegjësinë.