Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) merr zyrtarisht të pandehur kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, i cili prej pesë muajsh ndodhet në paraburgim.
SPAK do t’i komunikojë zyrtarisht akuzat kryebashkiakut si edhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, të mërkurën e datës 23 korrik, në orën 11:00. Sipas fletëthirrjes së SPAK-ut, Veliaj dhe avokatët e tij duhet të paraqiten për të marrë zyrtarisht akuzat.
Erion Veliaj mbahet në paraburgim prej 10 shkurtit të këtij viti. Ai është i akuzuar për “korrupsion pasiv” në të paktën nëntë raste dhe së fundmi iu shtua dhe akuza për fshehje pasurie, akuza të cilat ai i ka kundërshtuar. Në të njëjtën dosje penale, SPAK po heton edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe 4 biznesmenë të tjerë.
Sipas SPAK, Veliaj dhe Xoxa kanë vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe bërë të mundur në praktikë marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të kryebashkiakut dhe familjes së tij përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
SPAK njoftonte se ka mbledhur prova sipas të cilave, rezulton se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit, kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit (rrjedhimisht tek vetë Veliaj) dhe rrethi i saj familjar përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga ajo.