Dështoi për të dhjetën herë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Deputetët refuzuan sërish që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kryetarin e ri të organit ligjvënës.
Seanca e radhës është parashikuar të vazhdojë të hënën më 5 Maj në orën 10:00.
Kujtojmë se para kësaj seance, kreu i LVV-së, Albin Kurti ftoi në takim udhëheqësit e PDK-së dhe LDK-së. Ftesës së tij iu përgjigj vetëm Memli Krasniqi, por mes të dyve nuk u arrit ndonjë marrëveshje se si do të shkohet përpara.
Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka nisur që më 15 Prill. Deri më tani, deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pika të axhendës, raportimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit. LVV, e cila në zgjedhje doli forcë e parë, ka propozuar kandidaten e tyre Albulena Haxhiu. Mirëpo deri më tani ajo nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme, minimalisht 61 të tilla.
Albulena Haxhiu konsiderohet si figurë përçarëse nga PDK-ja dhe LDK-ja. Ato i kanë kërkuar LVV-së që të ndryshojnë emrin për kryeparlamentar.
Madje AAK i ka propozuar dy emra nga partia e Kurtit që ka thënë se do i votonte, Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi.
Por LVV ka argumentuar se Haxhiu është kandidate me meritë dhe ka refuzuar thirrjet për të vendosur dikë tjetër në emër të saj.