Qeveria ka rikthyer sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, përmes një projektligji të ri të hedhur në konsultim publik nga Ministria e Financave.
Ndryshe nga versioni i mëparshëm i ndalur disa vite më parë, drafti aktual parashikon krijimin e një Fondi për Tërmetet si shoqëri aksionare shtetërore, e cila do të mbledhë primet e sigurimit dhe do të kryejë pagesat për dëmet në rast tërmeti.
Sigurimi do të jetë i detyrueshëm për të gjitha banesat, përfshirë ato në proces legalizimi apo me qira sociale. Shtresat në nevojë do të mbulohen nga buxheti i shtetit, ndërsa bashkitë do të paguajnë për kategoritë përkatëse.
Kush nuk paguan primin, nuk do të ketë akses në shërbime të rëndësishme publike, si Kadastra, QKB apo e-Albania.
“Subjektet që nuk lidhin kontratë sigurimi të detyrueshme nga ngjarjet e tërmeteve në zbatim të këtij ligji, i nënshtrohen masave shtrënguese si më poshtë:
Nuk marrin shërbime kadrastale;
Nuk marrin shërbime nga e-albania;
Nuk marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit”, thuhet në nenin 33 të projektligjit.
Primi i sigurimit dhe shuma maksimale e dëmshpërblimit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, shoqëritë private të sigurimit janë përjashtuar nga procesi, dhe kontrolli do të bëhet nga vetë ministria.
Sipas qeverisë, ky hap vjen në përgjigje të rrezikut të lartë nga tërmetet, pasi Shqipëria renditet ndër vendet më të ekspozuara në Evropë. Kujtojmë se tërmeti i 2019 preku mbi 200 mijë qytetarë dhe shkaktoi dëme në 18% të banesave në vend.