Rama interviste 1024x586

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Richard Attias, organizatorin e FII (Iniciativa e Investimeve të Ardhshme), kur foli për fusha të ndryshme në vendin tonë.

Kujtojmë se menjëherë pas përfundimit së Samitit të Komunitetit Politik Europian, u zhvillua në Tiranë, Forumi Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), platforma globale që mbledh liderë politikë, drejtues të korporatave më të mëdha në botë për diskutimin e inovacionit, investimeve dhe të ardhmes së ekonomisë botërore, i cili përzgjodhi Shqipërinë për takimin e tij të parë në Europë.

Rama në intervistë, theksoi potencialin e Shqipërisë si një qendër për Evropën për shkak të karakteristikave të saj gjeografike dhe kulturore, duke e krahasuar atë me një “Itali të re” për mundësitë dhe mikpritjen që ofron.

“Unë do preferoja një “Itali e re”, ku gjen mundësi, ku gjen kënaqësinë e mikpritjes, të ushqimit, por ku nuk e humbet buzëqeshjen. Ne na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar historia, një mallkim ku për të qenë i sinqertë, kemi pasur edhe kontributin tonë për shumë e shumë vite dhe shekuj. Ky vend, me një territor shumë të vogël, vetëm 28 000 kilometër katrorë, ku gjen dy dete,  male, nëntë lumenj, liqene, gjen nga një peizazh të ndryshëm për çdo kilometër, është vërtet një vend për t’u vizituar, një vend për të qëndruar, për të investuar, por, nga ana tjetër, ky vend ka vuajtur tej mase nga stigma dhe ka qenë shumë e vështirë t’i sillje njerëzit në Shqipëri ngaqë stigma ishte shumë e madhe. Pastaj, kur erdhën, sa herë vinin, thoshin: “Oh, po këtu nuk është siç e prisnim”. Tashmë, kemi dalë përtej dhe vitin e kaluar e mbyllëm me 12 milionë turistë, e kjo është shifër e jashtëzakonshme për një vend me vetëm 2,4 milionë”, u shpreh Rama.

Ndër të tjera kryeministri identifikoi energjinë, inovacionin dhe turizmin si sektorë kyç për investime, me projekte në zhvillim në energjinë e rinovueshme dhe parqet teknologjike. Rama, gjatë intervistës tha se është  duke u punuar për projektin me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për linjën nënujore të transmetimit të energjisë elektrike, e cila do të prodhohet në vendin tonë.

“Ne kemi një vend shumë, shumë të mirëpozicionuar gjeografikisht dhe politikisht për të bërë shumë më tepër për energjinë dhe po e bëjmë. Për momentin jemi të angazhuar në një projekt shumë të madh bashkë me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara për linjën nënujore që lidh Shqipërinë me Italinë, domethënë dy anët e Europës përmes Adriatikut dhe për të bërë maksimumin me atë që e kemi thesar këtu, energjinë tërësisht të gjelbër. Ne kemi 100 për qind energji të ripërtëritshme. Problemi është se kemi shumë energji hidrike dhe tashmë po ngremë energjinë diellore. Ka kompani franceze që kanë ardhur, edhe kompani të tjera, për të ndërtuar [objekte] për energjinë diellore, kështu që, energjia është pa dyshim një nga frontet. Një tjetër janë të rinjtë e kualifikuar shqiptarë, të cilët janë një lëndë e parë shumë e mirë, ta themi kështu, për të punuar sa i takon novacionit. Aktualisht, kemi ngritur parkun e parë teknologjik me stimuj shumë të mirë, ndaj ka shumë kompani të interesuara të vijnë. Pastaj, edhe në shërbime jemi mirë, por turizmi, energjia dhe novacioni janë tri nga drejtimet ku mund të bëjmë shumë më tepër”, thekson Rama.

Kreu i qeverisë gjithashtu trajtoi sfidat e Bashkimit Evropian në procesin vendimmarrës, duke theksuar nevojën për unitet për të përballuar fuqitë globale në rritje.

“Një nga problemet që shoh te BE-ja vështirësia e daljes me një vendim, pasi ka shumë mjekë për një pacient, që hahen me njëri-tjetrin për të gjetur diagnozën, hahen se cili është mjekimi i duhur dhe, në një farë mënyre, BE-ja po vuan nga ky proces demokratik, por, nga ana tjetër, i duhet padyshim ta ruajë demokracinë. Sidoqoftë, thelbi i kësaj është që BE-ja duhet të mendojë se mënyra e vetme për t’iu bërë ballë fuqive që po dalin në pah dhe këtij rendi të ri që po lind është të bëjë të pamendueshmen për të thyer fuqishëm paragjykimet që janë krijuar. Kur organizuam KPE-në, iu thashë të gjithëve që e kemi dekoruar këtë shtëpi me vizatimet e fëmijëve, por shoh shumë  ngjashmëri mes ëndrrave të fëmijëve dhe ëndrrave të etërve themelues të Europës, sepse as njëri e as tjetri nuk janë marrë peng nga mitet e së shkuarës. Kësisoj, Europës i duhet të shkojë përtej së shkuarës së vet, e kam fjalën për të shkuarën e afërt dhe nuk duhet të humbasë bindjen dhe besimin te vetja si kontinent i paqes. Pra, është mirë të riarmatosesh, është mirë të përgatitesh për të mbrojtur veten, por nuk duhet të harrojmë se, në Europë, nuk është vetëm territori fizik që ia vlen të mbrohet, por edhe shpirti i Europës që është praktikisht shpirti i botës”, theksoi Rama.

Ndër të tjera Kryeministri u pyet edhe lidhur me përparësitë kryesore pas marrjes së mandatit të katërt dhe përgjigja e tij ishte vetëm një pikë.

“Tani që flasim, tri gjërat kryesore për ne janë BE-ja, BE-ja, BE-ja. Dritarja e mundësisë është hapur. Është shumë e trishtë që na duhej Putini, që kjo dritare mundësie të hapej, sepse ishte agresioni i tij kundër Ukrainës që i zgjoi të gjithë nga gjumi dhe e ktheu në veprim mesazhin përherë shumë të qartë, por vetëm me fjalë, se një ditë, Europa do të jetë e bashkuar. Unë shpresoj që edhe zgjedhja  e Donald Trump-it do ta shtyjë Europën të kthejë në veprime gjërat e duhura. Nëse ne ia dalim, atëherë katër mandatet do t’ia kenë vlejtur”, tha Rama.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights