Shqipëria do të ketë një shoqëri të re aksionare që do të ofrojë shërbime të transportit publik rrugor të udhëtarëve në vend, përfshirë linjat drejt zonave turistike. Ky është vendimi më i fundit i marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të mbajtur ditën e djeshme, 1 tetor.
Kështu, sipas vendimit të bërë publik në faqen e Kryeministrisë, thuhet se është miratuar krijimi i shoqërisë aksionare me kapital 100% shtetëror, “MobAl” sh.a. Kjo shoqëri do të jetë nën administrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe do të ofrojë shërbime të ndryshme, si transporti i rregullt i udhëtarëve, linjat turistike, transporti i nxënësve dhe punonjësve të arsimit, si dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës që përfshin stacionet, parkun e autobusëve dhe sistemet elektronike të biletimit.
Kapitali fillestar i shoqërisë është 10 milionë lekë, financuar nga buxheti i shtetit për vitin 2025. Organizimi i “MobAl” do të jetë në përputhje me ligjin për shoqëritë tregtare, me dy nivele drejtimi: Asambleja e Përgjithshme e Aksionarëve dhe Këshilli Mbikëqyrës.
Shoqëria pritet të financohet kryesisht nga të ardhurat nga shitja e biletave dhe tarifat e shërbimeve që ofron për operatorët e tjerë të transportit, si dhe nga burime të tjera të ligjshme.
Detyrat e MobAl
-Operimi i shërbimit të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë destinacionet turistike;
-Operimi i shërbimeve të rregullta të specializuara të transportit të udhëtarëve, përfshirë transportin e nxënësve dhe të punonjësve arsimorë;
-Organizimi dhe sigurimi i mirëmbajtjes së infrastrukturës së operimit, përfshirë parkun e autobusëve, stacionet, infrastrukturën e karikimit për mjetet elektrike, sistemin e biletimit elektronik, serverat për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave, si dhe çdo shërbim ose element tjetër i nevojshëm për funksionimin e shërbimit;
-Arkëtimi i tarifës së biletave në mënyrë fizike ose elektronike;
-Organizimi, licencimi dhe monitorimi i shërbimeve të transportit publik të udhëtarëve, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;
-Krijimi ose sigurimi i sistemeve e të aplikacioneve elektronike për menaxhimin, informacionin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik rrugor të udhëtarëve.
-Shoqëria “MobAl”, sh.a., mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi dhe për sigurinë e mjeteve të nevojshme për fillimin e veprimtarisë së “MobAl”, e cila pritet të nisë me efekt në shtator të vitit 2026.
Ky vendim synon modernizimin dhe zgjerimin e transportit publik në vend, duke përmirësuar shërbimet dhe duke i bërë më të aksesueshme për qytetarët dhe turistët.