Shkrirja e akullit detar në Arktik është ngadalësuar ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit, pa shënuar rënie statistikisht të rëndësishme që prej vitit 2005, sipas një studimi të ri shkencor. Rezultatet, të publikuara në revistën Geophysical Research Letters, kanë habitur ekspertët, të cilët theksojnë se kjo ndodh në një periudhë kur emetimet e karbonit nga djegia e karburanteve fosile janë rritur vazhdimisht, duke çuar në akumulim të mëtejshëm të nxehtësisë globale.
Sipas studiuesve, variacionet natyrore të qarkullimit oqeanik, të cilat kufizojnë shkrirjen, ka të ngjarë të kenë balancuar përkohësisht rritjen e temperaturave globale. Megjithatë, ata paralajmërojnë se kjo është vetëm një periudhë e shkurtër “pushimi”, dhe se brenda 5 deri në 10 viteve të ardhshme pritet një ritëm shkrirjeje edhe më i shpejtë se mesatarja afatgjatë, raporton The Guardian.
Shkencëtarët nënvizojnë se ngadalësimi nuk do të thotë rikuperim i akullit. Sipërfaqja e akullit në shtator, kur arrin minimumin vjetor, është përgjysmuar krahasuar me vitin 1979, kur nisën matjet satelitore. Ndërkohë, trashësia e tij vazhdon të bjerë ndjeshëm.
Dr Mark England, i cili udhëhoqi studimin në Universitetin e Exeter dhe aktualisht në Universitetin e Kalifornisë, Irvine, tha:
“Është befasuese që në një kohë kur diskutohet nëse ngrohja globale po përshpejtohet, ne po flasim për një ngadalësim. Ky variacion natyror ka blerë pak kohë, por është një lehtësim i përkohshëm – dhe kur të përfundojë, lajmi nuk do të jetë i mirë.”
Edhe profesorja Julienne Stroeve nga University College London theksoi se variacionet e brendshme të klimës mund të sjellin periudha të qëndrueshme për disa vite, pa e ndryshuar trendin afatgjatë. Sipas saj, për çdo ton CO2 të emetuar që nga viti 1979, në shtator humben rreth 2.5 metra katrorë akull.
Ndërsa profesori Andrew Shepherd nga Universiteti i Northumbria paralajmëroi se, pavarësisht sipërfaqes, masa e akullit po pakësohet ndjeshëm: “Që prej vitit 2010, trashësia mesatare në tetor ka rënë me 0.6 cm në vit.”
Dr England shtoi: “Ndryshimet klimatike janë të padiskutueshme, të shkaktuara nga njeriu dhe paraqesin rreziqe serioze. Urgjenca për veprim mbetet e pandryshuar.”
Ekspertët paralajmërojnë se një Arktik pa akull është i pashmangshëm gjatë këtij shekulli, duke sjellë pasoja shkatërruese për komunitetet, ekosistemet dhe duke përshpejtuar ngrohjen globale përmes ekspozimit të oqeanit të errët që thith nxehtësi.