Të tjera informacione mësohen lidhur me sherrin që ndodhi mbrëmjen e kaluar në qytetin e Korçës, ku dy persona mbetën të plagosur.
Policia e Korçës ka sekuestruar të gjitha pamjet filmike nga lokali pranë zonës së parkut të qytetit, ku ndodhi përplasja mes dy grupeve të të rinjve. Mbrëmjen e kaluar u raportua për tre arrestime, por burime nga Policia flasin për një numër të lartë të personave që janë shoqëruar në komisariat edhe gjatë ditës së sotme.
Konflikti, i cili nisi fillimisht me debat verbal, përshkallëzoi shpejt në dhunë fizike, duke përfshirë përdorimin e karrigeve, shkopinjve të bejsbollit dhe më pas edhe armëve të ftohta.
Dy persona kanë mbetur të plagosur nga kjo përplasje, të cilët fatmirësisht, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia vijon hetimet për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë sherr masiv, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera.