Sot, më datë 2 tetor 2025, një sherr i dhunshëm mes nxënësve ka ndodhur në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz.
Sherri ka ndodhur në rrugë, shumë pranë gjimnazit dhe në të janë përfshirë nxënës.
“Rreth orës 10:50, te bulevardi “Nënë Tereza”, në rrugë, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta, disa shtetas të mitur, të moshave 15-17 vjeç.
Gjatë konfliktit janë dëmtuar, dyshohet me mjet të mprehtë, dy 16-vjeçarë, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Është dëmtuar lehtë dhe një bashkëmoshatar i tyre, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas dhe po marrin deklaratat e tyre. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të përfshirë në konflikt”, njofton policia.
Konfliktet e dhunshme mes nxënësve në shkolla janë kthyer në një problem madhor.
Disa ngjarje të dhunshme e kriminale me pjesëmarrjen e adoleshentëve, janë shënuar në mbarë vendin.
Kujtojmë se disa kohë më parë, në shkollën “Fan Noli” në kryeqytet u vra me thikë një adoleshent, duke shkaktuar zemërim në shoqëri.
