Policia e Tiranës sekuestroi tre mjete luksoze me vlerë rreth 450 mijë euro të cilat dyshohet se janë vjedhur në Gjermani.
Policia njoftoi se në kuadër të operacionit “Stolen line”, u sekuestruan 3 automjete luksoze, konkretisht 1 automjet tip “Mercedes Benz G-Class 63 AMG”, me vlerë rreth 200 000 euro, 1 automjet tip “Mercedes Benz GT 63 AMG”, me vlerë rreth 150 000 euro, dhe 1 automjet tip “Mercedes Benz S-Class 580e”, me vlerë rreth 100 000 euro.
Sipas policisë, në lidhje me këtë rast u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit F. D., 24 vjeç, dhe K. V., 22 vjeç, të dyshuar se kanë trafikuar në Shqipëri automjetet, me qëllim shitjen e tyre.
Gjithashtu, policia bëri me dije se janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. H., 41 vjeç, S. U., 27 vjeç, dhe K. B., 39 vjeç, të cilët u konstatuan duke drejtuar automjetet në momentin e sekuestrimit të tyre.
Policia njoftoi më tej se po punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.
