Kryeministri Edi Rama dha një prononcim të shkurtër për media në ditën e dytë të mbledhjes së Komunitetit Politik Evropian që organizohet në Irlandë.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se Bashkimi Evropian ka gabuar në mbylljen e kanaleve të komunikimit me Rusinë, duke e konsideruar si një vendim që nuk i shërben interesave të Unionit.
“Pyetja nuk është kujt mund t’i besojmë, por çfarë është në interesin tonë në BE. Ka qenë një gabim i madh delegimi i diplomacisë te të tjerët dhe fokusimi vetëm te mbështetja ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur një kanal të hapur komunikimi me Rusinë. Na pëlqen ose jo, Rusia është aty dhe nuk do të zhduket. Ndërkohë që mbështesim Ukrainën, duhet edhe të bisedojmë”, tha Rama.
Kryeministri Rama u pyet me interes dhe për projektin që Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, parashikon të bëjë në ishullin e Sazanit. Rama theksoi se ende nuk është arritur një marrëveshje mes palëve dhe se bisedimet po vijojnë.
“Nuk kam asnjë marrëveshje me Kushnerin. Ai është një nga shumë investitorët që kanë shprehur interes për vendin tonë. Bisedimet me grupin e tij të punës vijojnë. Nëse ju pyes se çfarë dini, do të thoni se bëhet fjalë për një ishull në Shqipëri, i cili i është dhënë atij. Nuk ka ende një marrëveshje dhe nuk ka asnjë ishull të shitur apo kërkesë për ta blerë. Është pronë e Shqipërisë dhe do të mbetet e tillë”, tha Rama.
Rama u pyet nga gazetarët dhe për besimin që populli shqiptar i ka dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, e iniciuar kjo dhe nga protestat masive që janë zhvilluar së fundmi duke kërkuar dorëheqjen e tij.
“Shqiptarët më kanë dhënë një mandat të fortë për ta drejtuar vendin drejt BE-së. Kjo nuk ndodhi 10 vite më parë, por vitin e kaluar. Ju jeni të përfshirë në gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra të mëdha”, tha Rama.
