Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh paqeje në Stamboll, të mërkurën, 23 korrik. Në një fjalim drejtuar popullit, ai tha se kishte diskutuar me kreun e Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, mbi përgatitjet për shkëmbimin e të burgosurve dhe për takimin e radhës me palën ruse në Turqi.
“Umerov raportoi se takimi është caktuar për të mërkurën”, deklaroi Zelensky.
Propozimi për rifillimin e bisedimeve erdhi pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi sanksione “të rënda” ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një armëpushim brenda 50 ditëve.
Në të njëjtën kohë, Washingtoni ka premtuar furnizime të reja me armë për ushtrinë ukrainase, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj qyteteve ukrainase, duke shkaktuar viktima të shumta mes civilëve.
Ndërkohë, Moska ende nuk ka komentuar zyrtarisht për takimin. Agjencia ruse RIA, duke cituar një burim, raportoi se bisedimet pritet të zgjasin dy ditë, të enjten dhe të premten.
Sipas agjencisë AFP, një zëdhënës i qeverisë turke konfirmoi se bisedimet do të zhvillohen në Stamboll, i njëjti vend ku raundet e kaluara në maj dhe qershor nuk arritën të prodhonin përparim për një armëpushim.
Një zyrtar i lartë ukrainas tha për AFP se bisedimet mund të fokusohen në shkëmbimin e mëtejshëm të të burgosurve dhe mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë mes Zelenskyt dhe Putinit.
Por Kremlini ka zbehur shpresat për ndonjë rezultat konkret. Zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi për gazetarët se të dyja palët mbeten “diametralisht të kundërta” në pozicionet e tyre dhe se “ka shumë punë diplomatike përpara”.
Kujtojmë se lufta ka hyrë në vitin e katërt, pasi Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.