Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar pas raportimeve të fundit në rajon për raste të komprometimit të llogarive në WhatsApp.
Sipas AKSK-së, në disa prej rasteve të raportuara përdoruesit kanë humbur aksesin në llogaritë e tyre, ndërsa autoritetet përkatëse po analizojnë mënyrën e komprometimit.
Për mbrojtjen e llogarisë, AKSK rekomandon aktivizimin e verifikimit me dy hapa (Two-step verification) te seksioni “Settings → Account”, si dhe mosndarjen me persona të tjerë të kodeve të verifikimit, fjalëkalimeve apo të dhënave të llogarisë.
Autoriteti këshillon gjithashtu kontrollin e rregullt të seksionit “Linked Devices” dhe shkëputjen e menjëhershme të çdo pajisjeje të panjohur.
Qytetarët këshillohen të mos klikojnë në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS, WhatsApp apo email, veçanërisht kur u kërkohet të verifikojnë llogarinë.
AKSK thekson se, në rast të marrjes së një kodi ose njoftimi për regjistrimin e WhatsApp-it në një pajisje tjetër pa e kërkuar vetë, përdoruesit nuk duhet ta ndajnë kodin dhe as të autorizojnë kërkesën.
Gjithashtu, rekomandohet që adresa e email-it e lidhur me llogarinë të mbrohet me një fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë.
Në rast të humbjes së aksesit në llogari, AKSK u kërkon qytetarëve të përdorin vetëm procedurat dhe kanalet zyrtare të WhatsApp për rikuperimin e saj.
“Një kod verifikimi është personal. Edhe kur kërkesa duket sikur vjen nga një person që njihni, verifikojeni përpara se të veproni”, apelon AKSK.
