Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni dhe ministri i Brenshëm Ervin Hoxha morën pjesë sot në prezantimin e raportit të GRECO për luftën antikorrupsion.
Kreu i qeverisë tha se ky raport e konsideron vendin tonë të parën në rajon për menaxhimin e financave, prokurimet publike, financimet publike dhe burimet njerëzore.
“Qeveritë maten me atë që bëjnë, por meritën kryesore e kanë në fakt për atë që nuk lejojnë të ndodhë. Dhe ajo që qeveria nuk lejon të ndodh është diçka që mund të vlerësohet vetëm duke hyrë më thellë dhe duke sonduar pikërisht themelet në të gjitha fushat. Sot më vjen shumë mirë që jemi këtu për këtë tjetër raport domethënës dhe inkurajus për progresin që kemi bërë. Në një farë mënyre është një tjetër kala që marrim duke pasur parasysh se kur kemi nisur këtë rrugëtim nga të katër anët raportet ishin tejet problematike dhe ky raport vjen pas atij të SIGMA-s pak kohë më parë, i cili realisht na dha shumë energji pozitive dhe shumë arsye për tu ndjerë edhe më të motivuar. Duke renditur Shqipërinë të parën në rajon për integritetin dhe prokurimet publike me një diferencë domethënese ndaj vendit të dytë.
Të parën në rajon për financimin, menaxhimin e financimeve publike me diferencë nga vendi i dytë. Dhe të parën në rajon për menaxhimin e burimeve njerëzore me diferencë nga vendi i dytë”, tha Rama.
Më tej Rama tha se në raport Shqipëria konsiderohet si lider rajonal për politikat kundër korrupsionit dhe se këto janë faktet se pse vendi ynë sot është në pararojë të procesit të integrimit.
“Shqipëria konsiderohet lider rajonal në politikat kundër korrupsionit, me rezultatet me të lartë në ekonominë e Ballkanit për masën e politikave antikrrupsion, duke tejkaluar ndjeshëm rajonin në fushat e parandalimit të korrupsionit, si edhe në fushën e hetimeve dhe ndjekjeve penale, përpjekje për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin, sipas raporit, falë një kuadri gjithëpërfshirës ligjor dhe institucional. Kjo është një tërësi faktesh që shpjegon se përse Shqipëria sot është në pararojë të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha Rama.
Kryeministri iu përgjigj kështu deklaratave të kryedemokratit Sali Berisha për procesin e negaciatave: “Do vazhdojmë me hapjet e kapitujve të tjerë, ndryshe nga çfarë është thënë ditën e fundit në pasqyrat e kënetës politike dhe mediatike”.