Në aktivitetin e sotëm ku po flitet për partneritetin me rëndësi UBT-BOKU, kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij duke kujtuar dy faza në të cilat ka kaluar Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Së pari tha koha kur ky universitet kishte “dijetarë e akademikë të jashtëzakonshëm” te ajo e “braktisjes dhe degjenerimit publik”.
“Një fazë të historisë së tij, kur ishte qendër ekselence reale në kushte të vështira dhe me mjete të kufizuara, por ishte pikë referimi dhe ishte koha përpara përmbysjes së regjimit. Kur UBT ishte njëkohësisht edhe burimi më i rëndësishëm i dijes për ato nevoja të bujqësisë dhe fshatit që kishte atëherë vendi. Pati edhe fazën e braktisjes dhe degjenerimit publik të tij, ku përveç burimeve njerëzore brenda mureve të universitetit të trashëguara, asgjë tjetër nuk mbeti aty. Rektori përsëriti disa herë një telefonatë, a thua se ishte ndonjë zë profetik nga mali. Nga qoftet e deri te shitja e të brendshmeve, ishte dramatike të hyje në atë universitet, ku për të shkuar në klasë duhet të kaloje nëpërmjet një pazari ndërtimesh të paligjshme dhe aktivitetesh tregtare. Edhe për faktin që shumëkush mendoi se koha e fshatit mbaroi dhe erdhi koha e qytetit, natyrisht erdhi koha e Mercedesit të vjedhur dhe iu kthye shpina UBT-së”, tha Rama.
Më tej, kujtoi ditën kur udhëtoi drejt Vjenës, pikërisht për të finalizuar një marrëveshje me Universitetin BOKU.
“E filluam këtë aventurë kur rektori në dëshpërim tha tani nuk kemi si e mbajmë universitetin nëse nuk e ulim mesataren nga 6 në 5, nga gjysmë të vdekur, t’i marrim të vdekur. Unë i thashë që kjo do sillte rrënim përfundimtar, qëllimi ishte të kthehej në trend ku vajzat dhe djemtë të shihnin të ardhmen. Në një universitet europian! Isha i pari kryeministër që ngjitja shkallët e atij universiteti që nga 1872-i, se çfarë nuk kishte dëgjuar për shqiptarët dhe aty po i vinte shefi i mafies në derë. Na shikonte me çudi të përzier me frikë. Megjithatë ja ku jemi sot, falë këtij burri”, tha Rama.
“Universitetet s’mund të jenë më si gjimnaze!”, shtoi numri një i kabinetit duke vënë theksin te reforma e thellë edhe në arsim.