Kryemiistri Edi Rama, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilluan një inspektim në kantierin e autostradës Elbasan – Lekaj, e cila është pjesë e Korridorit të VIII, e një investim i kategorisë A, me një gjatësi totale prej 40.7 km.
Deri më tani punimet kanë ecur në ritme të mira, e se nuk janë hasur problematika. Deri në fund të vitit 2025, pritet që punimet e autostradës të kenë përfunduar.
Zëvendëskryeministrja u shpreh se shpejtësia e lëvizjes së automjeteve do të jetë deri në 130 km/orë. Ajo shtoi se për shkak të kufirit të lartë të shpejtësisë, autostrada do të jetë nën mbikëqyrjen e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut sa më shpejt e me prioritet.
“Shpejtësia e projektimit kryeministër është 140 km, ndërsa shpejtësia e lëvizjes 130 , sipas kodit rrugor. E rëndësishme që duhet thënë, kemi parashikuar që pas përfundimit, të futet në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, duke qenë se ka parametër të lartë shpejtësie”, tha ajo.
Kryeministri nga ana tjetër vlerësoi se kjo autostradë bëhet përmes mbështetjes së Bashkimit Evropian, e nuk ka la rastin pa theksuar se anëtarësimi ynë në unionin evropian do jetë fitimprurës për ne, pasi çdo vit do të mbështetemi me nga 1 miliardë euro.
“Duhet pasur parasysh se është një program i madh infrastrukturor që bëhet realitet falë investimeve të perëndimorëve, rritjes domëthënëse të cilësisë së produkteve por në të gjitha rastet, sot për sot mbështetja financiare e programeve e BE për Shqipërinë mbetet 90% kredi e butë.
Kemi edhe hekurudhat që janë pako e re që janë hapur tanimë, gjithashtu në këtë kuadër. Me hyrjen në BE, jo vetëm mbështetja financiare rritet në mënyrë eksponenciale.
Nëse deri tani kemi marrë mbështetje pak më shumë se 1 miliardë, me hyrjen ne BE marrim 1 miliardë më shumë çdo vit. Kjo është formë solidariteti i vendeve kontribuese për vende si Shqipëria”, tha Rama.