Mocioni i mosbesimit kundër qeverisë konservatore të ”Demokracisë së re”, i paraqitur nga PASOK-u, SYRIZA, ”Nea Aristera” dhe ”Plefsi Eleftherias” si dhe nëntë deputetë të pavarur, u hodh poshtë nga seanca plenare në parlamentin grek dje në mbrëmje vonë.
Dy vjet pas një fatkeqësie hekurudhore në Greqinë Qendrore që shkaktoi 57 të vdekur, opozita dështoi në përpjekjen e saj për të rrëzuar qeverinë me një votë mosbesimi.
Opozita kishte akuzuar kabinetin e kryeministrit konservator Kyriakos Mitsotakis për fshehjen e shkaqeve të përplasjes në Tempi, në jug të malit Olimp, ku një tren pasagjerësh dhe një tren mallrash u përplasën ballë për ballë.
Nga 293 deputetë që votuan, 136 e mbështetën mocionin e censurës dhe 157 votuan kundër.
Munguan shtatë deputetë si ish-kryeministri, Antonis Samaras, deputeti i pavarur (ish-”Demokracia e re”), Marios Salmas dhe pesë deputetë të partisë ”Spartiates”.
Duke iu referuar konkretisht mocionit, Mitsotakis tha se ai u zgjodh nga populli grek me një shumicë parlamentare dhe do ta mbajë këtë deri në zgjedhjet e ardhshme.
”Në mjedisin e pasigurt global, opozita vendosi të paraqesë një mocion mosbesimi në vend që të përdorë mjete të tjera për kontrollin parlamentar”, tha ai.
Duke iu referuar rreshtimit me SYRIZA-n dhe partitë e tjera, kryeministri tha se “fakti që ju u identifikuat me njëri-tjetrin dëshmon se jeni një aleancë nihilistësh të gatshëm dhe nuk keni ndonjë propozim tjetër alternativ. Nuk prisja diçka ndryshe nga SYRIZA”.
”Por, për PASOK-un, si opozitë kryesore, lideri i saj po përpiqet të legjitimojë populizmin dhe lajmet e rreme”, tha Mitsotakis.
“Unë kam detyrën absolute të tregoj se çfarë është PASOK-u i sotëm… Kush do të vijë në pushtet? Me çfarë programi? Me çfarë pikëpamjesh për politikën e jashtme? Për shëndetësinë? Për arsimin?”, shtoi ai.
”PASOK-u është një opozitë pa drejtim dhe pa plane, pa propozime, por beson se shpreh zërin e shoqërisë”, këmbënguli kryeministri Mitsotakis.
“Ju jeni jehona e paaftësisë suaj”, tha Mitsotakis.