Qendra Shëndetësore Verore e Shkëmbit të Kavajës ofron shërbim 24 orë në 7 ditë të javës për çdo rast urgjence shëndetësore që paraqitet nga pushuesit që kanë zgjedhur këtë zonë bregdetare për të kaluar pushimet verore.
Stafi mjekësor është i angazhuar me turne të plota dhe në gatishmëri të vazhdueshme për të ofruar ndihmën e parë mjekësore në çdo rast.
Në një intervistë për (ATSH), infermieri i Qendrës Shëndetësore Verore në Shkëmbin e Kavajës, Endri Zhuri, bëri të ditur se shërbimi ka nisur më 1 qershor dhe do të vijojë deri më 1 tetor 2026.
“Jemi Qendra Shëndetësore Verore e Shkëmbit të Kavajës. Ofrojmë shërbim 24 orë në ditë. Kemi filluar punën më 1 qershor dhe do të jemi në funksion deri më 1 tetor 2026. Kryesisht kemi rreth 20 raste në ditë. Rastet më të shpeshta janë gastroenteritet, virozat, alergjitë dhe reaksionet e ndryshme alergjike”, tha Zhuri.
Ai theksoi se qendra bashkëpunon ngushtë me shërbimin e urgjencës së Spitalit Rajonal të Durrësit për rastet që kërkojnë trajtim më të specializuar.
“Momentalisht kemi bashkëpunim me shërbimin e urgjencës së Spitalit Rajonal të Durrësit dhe rastet më të rënda i dërgojmë atje për ndihmë më të specializuar”, u shpreh ai.
Qendra Shëndetësore Verore është pajisur me mjetet bazë për përballimin e situatave më të shpeshta gjatë sezonit turistik, si problemet nga ekspozimi në diell, pickimet e insekteve, lëndimet e lehta dhe rastet urgjente që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Në funksion janë gjithashtu edhe ekipet e urgjencës që mbulojnë zonat përreth dhe vijën bregdetare, duke garantuar reagim të shpejtë dhe asistencë mjekësore për pushuesit gjatë gjithë sezonit veror.
