Partia Socialiste mblodhi sot grupin parlamentar. Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i grupit parlamentar në PS, Taulant Balla, në një prononcim për gazetarët u ndal tek protesta, duke theksuar se “studentët duhet të dëgjohen”.
Balla bëri të ditur se “kryeministri ka ofruar tryezën ose le të themi sheshin e dialogut, ku unë mendoj që është momenti i duhur për t’u ulur me studentët”.
“Studentët, e thashë, meritojnë të dëgjohen. Koha për të pasur të paketën 2.0 për universitetin është tani”, tha ai.
Balla tha se ditën e enjte do të votohet në Kuvend edhe një marrëveshje me Republikën Federale të Gjermanisë dhe KFW-në, pikërisht për të investuar më shumë në konvikte.
“Mos harrojmë që gjithë këto dëme që janë bërë deri më sot në bulevarde apo në biznese, shkojnë përtej një investimi që do duhej për të bërë korpusin e ri të universitetit”, tha ai, duke iu referuar akteve të dhunës gjatë protestave.
Balla shtoi se në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është diskutuar që të vijohet puna e Kuvendit në mënyrë të menjëhershme, për shkak të axhendës që lidhet me negociatat dhe me rolin e Kuvendit si ligjvënës përgjatë këtij procesi.
“Një javë e humbur nga java e kaluar, le të themi, na kushton shumë me kalendarin që kemi. Pra, ditën e enjte mos gaboj janë tre ose katër ligje që kanë qenë kaluar nga seanca e kaluar në këtë seancë dhe është afati i fundit, fundi i këtij muaji është afati i fundit që këto ligje duhet të kalohen, kanë marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian, pra është në përputhje plot me detyrimet që ka Shqipëria përgjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe që lidhen me ato parakushtet që kemi pasur”, tha ai.
Ai bëri thirrje për dialog.
“Thirrja ime për të gjithë është e para për dialog, janë vendosur karriget, gjithçka është gati. Studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, siç është kryeministri, bashkë me ministren e Arsimit apo ministra të tjerë. Duhet të ulemi”, tha ai,
Balla shtoi se grupi parlamentar i Partisë Socialiste dënon aktet e dhunës.
