Prej më shumë se dy javësh, zjarri në malin e Dukatit në Vlorë vijon të jetë aktiv. Flakët janë përhapur me intensitet, duke iu afruar rrezikshëm Parkut Kombëtar të Llogarasë, një prej zonave më të bukura dhe të mbrojtura të bregdetit jugor.
Prefekti i Qarkut Vlorë, Plator Nesturi, deklaron se zjarri ka qenë tejet problematik që prej datës 6 korrik, ndërsa është riaktivizuar në 5 ditët e fundit.
Ai theksoi se sot janë 80 trupa të Forcave të Armatosura në terren dhe 32 pjesëtarë nga stafi i bashkisë Vlorë.
“Ndërkohë ka pasur fluturime nga ajri për shuarjen e zjarrit, me dy helikopterë. Po operojnë 10 forca në majë të malit, ku terreni është shumë i thepisur”, shtoi Prefekti.
“Ka ende trungje të ndezura dhe nuk ka as ujë apo dhe për të shuar flakët. Ende jemi në fazën e rrezikshmërisë”, theksoi ai.
Pavarësisht ndërhyrjeve nga toka dhe ajri, përfshirë edhe dy avionët zjarrfikës të ardhur nga Greqia, situata mbetet kritike. Bashkimi Evropian ka vendosur po ashtu në dispozicion flotën e tij për ndihmë, në kuadër të mobilizimit ndërkombëtar për të përballuar situatën me zjarret.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri nga të cilat 11 janë ende aktive dhe një është nën monitorim. Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Vlorë, Elbasan, Kurbin, Lezhë, Devoll, Korçë, Pustec, Pogradec, Gjirokastër, Përmet, Fier, Berat, Tiranë, Dimal, Malësi e madhe dhe Kukës.
