Gjykata e Kukësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Sebastian Muçmatën, i akuzuar për plagosjen me armë të 29-vjeçarit Elvis Halilaj, kushëri i kryebashkiakut të qytetit, Albert Halilaj.
Në seancën gjyqësore, i akuzuari refuzoi të jepte shpjegime për ngjarjen, duke kufizuar dëshminë e tij vetëm në konfirmimin e gjeneraliteteve. Ngjarja ndodhi më 19 shkurt, pas një konflikti që dyshohet se nisi për një vend pune në Bashkinë e Kukësit. Në dëshminë e tij paraprake, Muçmata ka deklaruar se përplasja ishte rezultat i tensioneve të krijuara për shkak të pozicionit të vëllait të tij në administratë.
“Unë nuk kisha synim të vrisja askënd, por situata agravoi kur vëllai i të plagosurit, Qerim Halilaj, i drejtoi armën babait tim. Në ato momente, shkova te makina, mora një pistoletë që e kisha në bagazh dhe qëllova në drejtim të rrugës ku ndodheshin dy vëllezërit. Nëse do të kisha dashur t’i vrisja, do ta kisha pasur mundësinë, por nuk ishte ky qëllimi im,” ka thënë Muçmata në dëshminë e tij.
Sipas tij, konflikti kishte nisur më herët, pas një incidenti ku Qerim dhe Elvis Halilaj dyshohet se kishin dhunuar vëllanë e tij, Zenel Muçmatën, Drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Kukësit. Elvis Halilaj, nga ana tjetër, dyshohet se e akuzonte Zenelin për ndikim në largimin e tij nga puna.
Pas ngjarjes, Sebastian Muçmata u vetëdorëzua në polici, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.