Drejtori i Policisë së Fierit, Erion Ahmeti, ka konfirmuar se Refit Buzi ka kryer vetëvrasje. brenda makinës ku qëndronte prej disa orësh i ngujuar.
Ai ekzekutoi me armë ish-vjehrrin, Kosta Plaka, plagosi ish-vjehrrën B.P dhe në fund mori për disa orë peng ish-partneren.
Kjo e fundit fatmirësisht u lëshua prej tij dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Fierit.
Autori i dyshuar i krimit, pas disa orësh përpjekjeje nuk pranoi dorëzimin te Policia dhe RENEA, dhe ndërmoi aktit të rëndë.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se:
Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
