Një nga figurat më të njohura të muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, pritet të ribashkohet me djalin e saj dhe ish-bashkëshortin, Robert Nolfe. Lajmin e ka bërë të ditur biznesmeni shqiptar që jeton në New York, Elton Ilirjani, i cili ka theksuar se takimi mes tyre do të ndodhë shumë shpejt.
Përmes një deklarate publike, Ilirjani bëri thirrje për ndalimin e kërcënimeve ndaj familjes Nolfe, duke theksuar se këto akte ndikojnë negativisht në situatën e këngëtares.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me Robert Nolfe. Takimi mes tij, djalit dhe Parashqevi Simakut është afër. Por, ndërkohë, kërkoj ndalimin e menjëhershëm të kërcënimeve online dhe të persekutimit ndaj familjes Nolfe, veçanërisht të kërcënimeve për jetë. Këto sjellje ndikojnë drejtpërdrejtë te Parashqevi Simaku,” ka deklaruar Ilirjani.
Ai ka ndarë gjithashtu një deklaratë të familjes Nolfe, ku theksohet se ata nuk kanë dashur kurrë të largojnë këngëtaren nga djali i saj.
“Unë kurrë nuk do të ndaja një fëmijë nga nëna e tij,” thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Ilirjani. “Gjithmonë kam shpresuar që ajo të marrë ndihmën që i nevojitet për të qenë pranë djalit të saj. Luka ka nevojë për dashurinë e saj dhe unë gjithmonë jam përpjekur të krijoj një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për të. I uroj Parashqevi Simakut gjithë të mirat për të ndërtuar një jetë të lumtur pranë djalit dhe familjes së saj.”
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur ribashkimi i familjes Simaku-Nolfe është pritur me interes nga publiku. Ndërkohë, të gjithë sytë janë kthyer drejt këtij takimi të shumëpritur që do të shënojë një kapitull të ri në jetën e artistes dhe të afërmve të saj.